Aktorja e njohur shkodrane Justina Aliaj do të ngjitet në skenën e Vjenës me monodramën kushtuar figurës së Nënë Terezës. Shfaqja “Nanë Tereza” do të prezantohet më 27 shtator në “Musikquartier 1060 – Feurich Acoustic Stage”, përpara komunitetit shqiptar në Austri.

Monodrama sjell në qendër jetën dhe mesazhin human të Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës së Kalkutës, duke përcjellë përmes artit vlerat e dashurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë.

Shfaqja vjen me regji të Gëzim Kames, ndërsa teksti mban autorësinë e Bashkim Kozelit dhe Justina Aliajt. Në realizimin artistik kontribuojnë gjithashtu Rubin Kodheli në violonçel dhe Orges Istrefi në piano.

Justina Aliaj e ka cilësuar të veçantë mundësinë që kjo monodramë të shfaqet jo vetëm në Shqipëri, por edhe aty ku jetojnë shqiptarët. Organizimi në Vjenë mbështetet nga dramaturgu dhe shkrimtari Gjergj Jozef Kola. Takimi me publikun shqiptar në kryeqytetin austriak është parashikuar të zhvillohet të dielën, më 27 shtator, në orën 11:30.