Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, nga Xhamia e Parrucës në Shkodër u përcollën mesazhe për rëndësinë e dijes, arsimit dhe përgjegjësisë së të rinjve ndaj shkollimit.

Imami i Xhamisë së Parrucës, Naim Drijaj, theksoi se shkolla nuk duhet parë thjesht si një detyrim, por si një përgjegjësi që çdo nxënës duhet ta marrë me seriozitet. Sipas tij, rruga e shkollimit nuk ka si qëllim vetëm marrjen e një diplome, por formimin e individëve të aftë për t’i shërbyer shoqërisë dhe vendit.

Në mesazhin e tij, Drijaj vuri theksin edhe te rëndësia që ka investimi në dije dhe arsim për zhvillimin e shoqërisë. Ai nënvizoi se edukimi i brezit të ri dhe përgatitja e tij për të ardhmen duhet të mbeten ndër prioritetet kryesore të familjes dhe shoqërisë.

Mesazhet u përcollën në kuadër të Hytbes së Xhumasë, vetëm pak ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor.