Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është pasuruar me një fond të ri botimesh, të dhuruara nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Koleksioni përfshin studime, dokumente dhe dëshmi historike që trajtojnë periudha dhe ngjarje të ndryshme të Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste. Mes tyre janë botime mbi proceset politike, legjislacionin dhe aktet represive të viteve 1945–1990, burgjet politike, torturat dhe veprimtarinë e figurave të persekutuara nga regjimi.

Botimet e reja do të jenë në dispozicion të studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe kërkuesve, duke krijuar më shumë mundësi për studimin e dokumentuar të së kaluarës.

Biblioteka Shkencore e UNISHK vlerësoi kontributin e ISKK-së, duke theksuar rëndësinë e këtyre botimeve për kërkimin shkencor, ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.