Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, siguria e nxënësve ka mbledhur në Shkodër Këshillin Vendor të Sigurisë Publike. Përfaqësues të institucioneve vendore, Policisë dhe strukturave arsimore diskutuan masat që do të zbatohen brenda dhe përreth shkollave.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u ndal te puna e bërë për lirimin dhe sistemimin e hapësirave në oborret e shkollave, me synim që ato të kthehen në mjedise më të sigurta dhe funksionale për nxënësit dhe mësuesit.

Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, vlerësoi ndërhyrjet e realizuara nga Bashkia, ndërsa kërkoi zbatimin e plotë të Paketës së Sigurisë në Shkolla. Ajo bëri të ditur se masat e parashikuara do të monitorohen dy herë në vit.

Edhe Policia e Shkodrës ka hartuar një plan të posaçëm masash për nisjen e vitit të ri shkollor. Drejtori i Policisë, Dashamir Spaho, tha se në fokus do të jetë garantimi i sigurisë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me oficerët e sigurisë në shkolla.

Bashkërendimi mes Bashkisë, Policisë, institucioneve arsimore dhe strukturave të tjera synon parandalimin e problematikave dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për nxënësit me nisjen e vitit të ri shkollor.