Disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Qarkut Shkodër, kryesisht në sipërfaqe pyjore dhe zona të vështira malore. Sipas përditësimit të fundit, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat në asnjë prej zonave të prekura.
Në terren vijojnë pa ndërprerje operacionet e koordinuara mes strukturave të Mbrojtjes Civile, forcave operacionale vendore, Forcave të Armatosura dhe mjeteve zjarrfikëse të bashkive. Në Bashkinë Shkodër, zjarri i nisur në Bardhaj është përhapur drejt Rragamit, në Njësinë Administrative Gur i Zi. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të ulët. Vatra mbetet aktive, por aktualisht paraqitet me intensitet të ulët.
Edhe në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau i Dejës, zjarri vijon të jetë aktiv në sipërfaqe pyjore, por me intensitet më të ulët. Në Bashkinë Pukë, vatra në pyjet e Tërbunit mbetet aktive. Ndërhyrja po zhvillohet nga dy drejtime, Livadh Kabash dhe Pezhvë, me angazhimin e Forcave të Armatosura, MZSH-së, Shërbimit Pyjor dhe strukturave të bashkisë.
Situata më e vështirë paraqitet në Porav, në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku zjarri vijon aktiv dhe ka një shtrirje të konsiderueshme në terren të vështirë malor. Operacionet dhe monitorimi do të vijojnë, me prioritet izolimin e plotë të vatrave, kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e jetës dhe banesave të qytetarëve.
