Tuzi në Malin e Zi është kthyer në një pikë takimi për autorët, botuesit dhe lexuesit. Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” u hap edicioni i 7-të i Panairit të Librit, një aktivitet që synon promovimin e librit, kulturës dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj. Ai theksoi se panairi nuk është vetëm një aktivitet kulturor, por pjesë e zhvillimit të Malësisë dhe e përpjekjeve për promovimin e vlerave të saj.
Në hapje të panairit vëmendje iu kushtua edhe librit “Brenga” të autorit Pashko R. Camaj. Duke folur për raportin e shoqërisë së sotme me leximin, Camaj u shpreh se, pavarësisht sfidave të kohës dhe ndryshimeve teknologjike, libri vazhdon të mbetet i pazëvendësueshëm.
Panairi shërben njëkohësisht si urë bashkëpunimi mes krijuesve, botuesve dhe institucioneve kulturore nga Mali i Zi dhe Shqipëria. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, Zija Vukaj, vlerësoi organizimin, duke theksuar se nisma të tilla duhet të marrin edhe më shumë mbështetje në të dy anët e kufirit.
Në edicionin e shtatë të Panairit të Librit në Tuz marrin pjesë rreth 40 shtëpi botuese, ndërsa për publikun janë ekspozuar afro 2 mijë tituj librash. Me moton “Libri, urë mes dijes dhe kulturës”, panairi do të qëndrojë i hapur deri më 11 shtator, ndërsa në përmbyllje të tij do të bëhet edhe ndarja e çmimeve, duke vlerësuar prurjet e këtij edicioni.
