Tre filma me metrazh të shkurtër, të realizuar nga të rinj shkodranë të apasionuar pas kinematografisë, janë prezantuar në Shkodër në kuadër të një projekti të mbështetur nga partnerë francezë.

Të rinjtë kanë pasur mundësinë të punojnë nën drejtimin e regjisorit Robert Budina, duke kaluar nga idetë e para te realizimi i filmave të tyre. Budina vlerëson dëshirën për të punuar, kreativitetin dhe idetë që ka gjetur tek pjesëmarrësit.

Në aktivitet u prezantuan tre produksione: “14 herë unë” nga Enza Rripaj, dokumentari autoportret “Unë dhe qyteti” nga Fatjon Kraja dhe dokumentari “Dy rrota, një qytet” nga Orges Zhugri.

Për autorët e rinj, kjo eksperiencë ishte një mundësi për të hedhur hapa konkretë në kinematografi, por edhe për të treguar përmes kamerës mënyrën se si e shohin veten, qytetin dhe realitetin që i rrethon.

Tre filmat sollën këndvështrime dhe forma të ndryshme rrëfimi, duke vendosur në qendër përjetimet dhe realitetin e të rinjve. Projekti synon njëkohësisht të nxisë interesin për kinematografinë dhe t’u krijojë hapësira talenteve të reja për të shprehur idetë e tyre përmes filmit.