Shiroka u kthye sërish në një pikë takimi për të apasionuarit pas sportit. Buzë Liqenit të Shkodrës u zhvillua edicioni i 14-të i Triathlon “Labeat”, aktivitet që ndërthur tre disiplina: notin, çiklizmin dhe vrapimin. Edicioni i këtij viti regjistroi një numër në rritje pjesëmarrësish nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, duke konfirmuar interesin gjithnjë e më të madh për këtë aktivitet.

Masivizimi i sportit dhe promovimi i një jetese aktive mbeten ndër synimet kryesore të Triathlon “Labeat”. Organizatorët synojnë që përmes këtij aktiviteti të afrojnë gjithnjë e më shumë të rinj dhe të apasionuar pas sporteve në natyrë. Aktiviteti zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, ndërsa mbështetja e nismave sportive shihet edhe si një mundësi për të promovuar potencialin që ofron territori i Shkodrës.

Për banorët e zonës dhe sportistët, organizime të tilla i japin gjallëri Shirokës dhe krijojnë një tjetër mundësi për promovimin e liqenit të Shkodrës si destinacion për sportin dhe turizmin.

Pas 14 edicionesh, Triathlon “Labeat” ka krijuar tashmë traditën e vet. Rritja e pjesëmarrjes nga viti në vit synon ta konsolidojë këtë aktivitet në kalendarin sportiv, ndërsa Shiroka dhe Liqeni i Shkodrës ofrojnë një prej panoramave më të përshtatshme për zhvillimin e sporteve në natyrë.