Shkodra është kthyer për disa ditë në një pikëtakim artistësh nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Edicioni i tretë i “Shkodra Art Residency ‘26” mblodhi rreth 20 artistë të pikturës, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me qytetin dhe të sjellin në telajo përshtypjet e tyre.
Gjatë qëndrimit në Shkodër, artistët vizituan pika të ndryshme të qytetit, duke gjetur frymëzim te arkitektura, peizazhi, trashëgimia dhe atmosfera karakteristike e tij. Punimet e realizuara gjatë rezidencës u prezantuan për publikun në një ekspozitë të përbashkët.
“Mbeta e befasuar pasi nuk e kisha pritur që Shkodra të ishte një qytet kaq i madh dhe i bukur njëkohësisht. Kam parë nga afër kalanë, liqenin, Muzeun Historik dhe plot pika të tjera. Vij nga Beogradi dhe shpresoj të rikthehem sërish,” u shpreh Maya Dokic nga Serbia.
Galeria “Oda” ishte hapësira mikpritëse e këtij edicioni. Rozafa Shpuza vlerëson krijimtarinë e artistëve dhe bashkëpunimin e krijuar mes tyre, duke theksuar se kjo galeri do të mbetet gjithmonë e hapur për iniciativa të tilla artistike.
Kuratori Saimir Ahmeti e cilësoi “Shkodra Art Residency” një iniciativë që, përtej shkëmbimit të eksperiencave mes artistëve, lë edhe një gjurmë konkrete në jetën kulturore të qytetit. Sipas tij, aktiviteti kontribuon në pasurimin e fondit të krijimtarisë artistike të Shkodrës.
Në përfundim të rezidencës, artistët pjesëmarrës do të dhurojnë një pjesë të veprave të tyre për institucionet e Shkodrës, duke bërë që krijimtaria e këtij edicioni të mbetet pjesë e fondit artistik të qytetit edhe pas përfundimit të aktivitetit.
