Vllaznia pësoi humbjen e parë të sezonit në Abissnet Superiore, pasi u mposht 2-3 nga Partizani në një sfidë dramatike të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndeshja nisi keq për kuqeblutë, me Partizanin që kaloi në avantazh që në minutën e 4-t. Fadairo realizoi me një goditje të fuqishme nga distanca, duke mposhtur portierin Avram.

Vllaznia reagoi dhe në minutën e 21-të riktheu baraspeshën. Pas një goditjeje nga këndi, Vata devijoi topin në portën e tij për rezultatin 1-1. Shkodranët patën mundësi edhe për të përmbysur shifrat, por Qirko ndali goditjen e Balajt. Në fundin e pjesës së parë, Partizani goditi sërish. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Aliu shënoi për 1-2, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes.

Vllaznia u rikthye më kërkuese në pjesën e dytë dhe në minutën e 57-të barazoi për herë të dytë. Pas një daljeje jo të saktë të Qirkos, Musta përfitoi duke dërguar topin në portën e boshatisur për 2-2. Kuqeblutë kërkuan edhe golin e tretë dhe në minutën e 79-të iu afruan ndjeshëm avantazhit, por Qirko dhe më pas Janjeva shmangën golin e vendasve.

Sfida u vendos në minutat shtesë. Partizani fitoi një penallti, ndërsa Avram ndali fillimisht goditjen e Sidibes. Arbitri vendosi megjithatë përsëritjen e 11-metërshit për hyrje të parakohshme të Mustës në zonë. Në tentativën e dytë, Human mposhti Avramin dhe vulosi rezultatin 2-3. Një fund dramatik në “Loro Boriçi”, me Vllazninë që arriti të rikthehej dy herë në lojë për rezultatin pozitiv, por në fund doli pa pikë nga përballja me Partizanin.

Reagimet pas ndeshjes

Vllaznia doli pa pikë nga përballja me Partizanin në “Loro Boriçi”, ku kuqeblutë u mposhtën 3-2 pas një sfide të luftuar deri në minutat e fundit. Pas përfundimit të ndeshjes, nga kampi shkodran foli për mediat zëvendëstrajneri Ergi Borshi. Ai u shpreh se, pavarësisht rezultatit, loja e Vllaznisë është në rritje, ndërsa skuadrës i mungon qetësia në momente të caktuara të ndeshjes.

Në kampin kundërshtar, trajneri rumun i Partizanit, Florin Bratu, vlerësoi besimin e skuadrës së tij deri në fund. Sipas tij, të kuqtë kërkuan tri pikët deri në minutat e fundit dhe në përfundim ia arritën qëllimit.

Pas kësaj humbjeje, Vllaznia do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive në javën e katërt të Abissnet Superiore. Kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Laçit, ku të dielën, më 13 shtator, në orën 16:00, do të përballen me skuadrën kurbinase.