Ka nisur sezoni i ri i emisionit “Pena e Shkodrës”, një hapësirë kushtuar shkrimtarëve, poetëve, librit dhe lexuesve. Emisioni vjen nën drejtimin e poetes dhe moderatores shkodrane Arjola Zadrima.

Në puntatën e parë të këtij sezoni, e ftuar ishte Eljona Kodra, poete që prej vitesh jeton në Mbretërinë e Bashkuar dhe që krijimtarinë letrare e ka mbajtur pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të saj.

Gjatë bisedës, vëmendja u përqendrua te arti i të shkruarit, frymëzimi dhe raporti i autorit me poezinë, por edhe te sfidat me të cilat përballet sot libri dhe leximi në shoqërinë shqiptare.

Përmes autorëve dhe krijuesve të ndryshëm, “Pena e Shkodrës” synon të vijojë edhe këtë sezon promovimin e letërsisë dhe të krijojë një hapësirë diskutimi mbi librin, poezinë dhe marrëdhënien e tyre me lexuesin.

“Pena e Shkodrës” transmetohet çdo të shtunë, në orën 10:00, në Radio Shkodra 92 MHz dhe RTSH Shkodra.