Një zjarr i përmasave të konsiderueshme është përhapur në zonën e Bardhajt dhe Myselimit, në territorin e Bashkisë Shkodër. Për izolimin dhe shuarjen e flakëve po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta.
Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përhapja e zjarrit është favorizuar nga era e fortë dhe terreni i thyer, duke vështirësuar operacionin e forcave zjarrfikëse.
Në terren janë angazhuar 6 mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër me efektivët përkatës, një bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor, si dhe përfaqësues të njësive administrative Rrethina dhe Postribë.
Ndërhyrja e forcave ka bërë të mundur mbrojtjen e 15 banesave që rrezikoheshin nga flakët, ndërsa deri tani është shmangur rreziku për familjet e zonës.
Operacionit i është bashkuar edhe një mjet zjarrfikës i Repartit RKV 1010 Vau i Dejës, ndërsa puna po koordinohet me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Operacioni për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit në Bardhaj dhe Myselim vijon, me prioritet mbrojtjen e banesave, pronës dhe jetës së banorëve të zonës.
