Galeria e Arteve Shkodër ka hapur programin e ri artistik me një aktivitet kushtuar piktorit dhe kineastit Astrit Tota, një prej emrave të lidhur me historinë e filmit artistik shqiptar. Në qendër të aktivitetit ishte ekspozita Shqipëria kinematografike e një piktori”, përmes së cilës u soll për publikun një pjesë e krijimtarisë dhe kontributit të Totës në ndërthurjen mes pikturës dhe kinematografisë.

Për artistin, rikthimi përballë publikut shkodran ishte një moment i veçantë. I emocionuar deri në përlotje, Astrit Tota foli për ekspozitën dhe rrugëtimin e tij artistik. Për rëndësinë e kësaj ekspozite dhe praninë e Astrit Totës në Galerinë e Arteve foli edhe drejtori i institucionit, Fatmir Juka.

Një vështrim mbi krijimtarinë dhe profilin artistik të Totës solli edhe studiuesja e artit Merita Toçila, e cila u ndal te vlerat që përfaqëson puna e tij dhe lidhja mes artit pamor dhe kinematografisë. Aktiviteti përkon edhe me çeljen e sezonit të ri artistik të Galerisë së Arteve Shkodër, e cila ka parashikuar një program aktivitetesh që do të vijojë deri në fund të këtij viti.