Pesë vite më parë, më 4 shtator 2021, humori shkodran humbi një prej mjeshtërve të tij. Paulin Preka u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe një galeri personazhesh që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e publikut.

Për ata që patën fatin të ndanin skenën me të, Paulin Preka mbetet shumë më tepër sesa një prej emrave të mëdhenj të Estradës së Shkodrës. Besnik Çinari kujton bashkëpunimet dhe materialet e shumta që interpretuan së bashku, por edhe veçantinë që Preka sillte në skenë.

Të njëjtën skenë me Paulin Prekën e ndau për vite edhe aktorja Drande Xhaj. Kujtimet e saj rikthejnë atmosferën e një brezi artistësh që për dekada e kthyen humorin shkodran në një prej traditave më të dashura për publikun.

Por trashëgimia e Paulin Prekës nuk ruhet vetëm në kujtesën e kolegëve dhe të publikut. Në arkivin e Teatrit “Migjeni” gjendet një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij artistike, fond që është pasuruar edhe me materiale të dhuruara nga familja e aktorit.

Paulin Preka nuk ishte vetëm aktori që interpretonte materialin e të tjerëve. Regjisori Zehrudin Dokle evidenton edhe një tjetër dimension të tij, atë të krijuesit, pasi Preka shkroi materiale humoristike që u bënë pjesë e repertorit të estradës.

Pesë vite pas ndarjes së tij nga jeta, Paulin Preka vazhdon të jetë i pranishëm përmes arkivit, kujtimeve të kolegëve dhe, mbi të gjitha, interpretimeve që ende sot arrijnë të sjellin buzëqeshje. Një trashëgimi artistike që e mban emrin e tij të lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e humorit shkodran.