Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia Shkodër ka mbledhur në një takim pune drejtuesit e arsimit dhe administratorët e njësive administrative, për të diskutuar problematikat dhe ndërhyrjet e nevojshme në institucionet arsimore.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur se një nga problematikat e evidentuara lidhet me hapësirat e oborreve të shkollave. Sipas tij, gjatë 30 viteve janë zaptuar mbi 40 mijë metra katrorë të këtyre hapësirave, ndërsa bashkia po punon për lirimin dhe rikthimin e tyre në funksion të institucioneve arsimore.

Paralelisht, Bashkia Shkodër po vijon investimet në shkolla të reja dhe ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve në godinat ekzistuese, me synimin që nxënësit dhe mësuesit të kenë mjedise sa më të përshtatshme për procesin mësimor.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte hapja e oborreve të shkollave edhe pas përfundimit të mësimit. Synimi është që këto ambiente të mos mbeten të mbyllura gjatë pasdites, por të shfrytëzohen nga fëmijët dhe komuniteti për sport, argëtim dhe aktivitete sociale.

Përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor dhe bashkëpunimi mes institucioneve ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve. Drejtorja e Zyrës Vendore Arsimore Shkodër, Brisela Kadija, u ndal te masat dhe puna që po zhvillohet për mbarëvajtjen e procesit arsimor.

Takimi synon koordinimin mes Bashkisë, strukturave arsimore dhe njësive administrative për zgjidhjen e problematikave të evidentuara, përpara rikthimit të nxënësve në bankat e shkollës.