Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia Shkodër ka nisur shpërndarjen e çantave dhe mjeteve shkollore për 600 fëmijë nga familjet në nevojë dhe qendrat komunitare. Nisma po realizohet në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, me synimin që fëmijët të kenë gjithçka të nevojshme për ditën e parë të shkollës.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, foli për rëndësinë e kësaj nisme dhe mbështetjen që u ofrohet fëmijëve në prag të vitit të ri shkollor. Për organizimin e shpërndarjes dhe përfituesit e kësaj mbështetjeje foli edhe Arlinda Bilali nga Shërbimi Social pranë Bashkisë Shkodër.

Përmes kësaj nisme synohet që çdo fëmijë ta nisë shkollën me gëzim, dinjitet dhe i pajisur me mjetet e nevojshme për procesin mësimor. Bashkia Shkodër ka falënderuar donatorët që iu bashkuan nismës, duke theksuar se kontributi i tyre shkon përtej çantave dhe mjeteve shkollore, duke sjellë mbështetje për fëmijët dhe familjet që kanë më shumë nevojë.