Nga kjo e premte, KFF Vllaznia në futbollin e femrave do të jetë pa presidentin Lazër Matija. Drejtuesi shumëvjeçar i klubit kampion ka bërë publike dorëheqjen e tij të parevokueshme gjatë një konference për mediat në Shkodër.
Vendimi i Lazër Matisë është i dyfishtë, pasi ai largohet jo vetëm nga drejtimi i KFF Vllaznia, por edhe nga posti i kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Vetëm në janar të këtij viti, Matija ishte rizgjedhur në krye të kësaj shoqate për një mandat të ri katërvjeçar.
Në daljen e tij para mediave, Matija bëri të qartë se vendimi lidhet me largimin e tij personal dhe jo me tërheqjen e Vllaznisë së femrave nga aktiviteti. Ai theksoi se skuadra do të vazhdojë rrugëtimin e saj, ndërsa u ndal edhe te problematikat dhe kundërshtitë që ka ngritur ndër vite për mënyrën e organizimit të futbollit të femrave.
Largimi i Lazër Matisë hap tashmë një kapitull të ri për KFF Vllaznia. Mbetet për t’u parë se kujt do t’i besohet drejtimi i klubit dhe si do të organizohet vazhdimësia e një skuadre që prej vitesh ka qenë dominuese në futbollin shqiptar të femrave dhe përfaqësuese e Shkodrës në arenën europiane.
