Vllaznia do të presë Partizanin në stadiumin “Loro Boriçi”, në sfidën e vlefshme për javën e tretë të kampionatit “Abissnet Superiore”. Takimi i së shtunës vjen në një moment të veçantë për kuqeblutë, menjëherë pas masave disiplinore të dhëna nga FSHF ndaj drejtuesve të klubit, pas incidenteve që shoqëruan ndeshjen me Elbasanin.

Në prag të përballjes me të kuqtë, kapiteni Bekim Balaj doli në konferencën për mediat, ku komentoi klimën që mbizotëron në kampin shkodran pas zhvillimeve të ditëve të fundit.

Pavarësisht situatës së krijuar, vëmendja e skuadrës tashmë është përqendruar te fusha dhe te ndeshja me Partizanin. Balaj u ndal edhe te objektivat e Vllaznisë, duke pranuar se skuadra dhe ambienti shkodran e ndiejnë peshën e mungesës së gjatë të titullit kampion. Megjithatë, kapiteni theksoi se kuqeblutë nuk do të tërhiqen nga synimet e tyre dhe do të vijojnë të luftojnë gjatë sezonit.

Përballja me Partizanin është një tjetër test i rëndësishëm për Vllazninë në këtë fillim kampionati, me shkodranët që kërkojnë të lënë pas zhvillimet jashtë fushe dhe të përqendrohen te rezultatet sportive.

Sfida Vllaznia–Partizani do të luhet të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:30, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH-së.