Dënimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ndaj drejtuesve të Vllaznisë vijojnë të jenë në qendër të diskutimeve në Shkodër, pas tensioneve që shoqëruan përfundimin e ndeshjes me Elbasanin.
Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, është dënuar me 15 ndeshje pezullim nga veprimtaria për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Gjatë periudhës së dënimit atij i ndalohet edhe hyrja në stadiume gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF.
Ndërkohë, trajneri Edi Martini është dënuar me 6 ndeshje pezullim, ndërsa zyrtari i klubit Elis Dervishaj me 4 ndeshje, po për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Vendimet e Disiplinës kanë sjellë reagime në ambientin sportiv shkodran. Mjeshtri i humorit Besnik Çinari, i njohur njëkohësisht si një prej tifozëve të flaktë të kuqebluve, komenton masat disiplinore të marra ndaj drejtuesve të Vllaznisë dhe situatën e krijuar rreth klubit.
Përtej polemikave dhe diskutimeve që kanë shoqëruar ditët e fundit, tashmë për kuqeblutë vëmendja duhet të rikthehet te fusha e lojës. Këtë qëndrim mban edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, i cili thotë se Vllaznia duhet të shohë përpara dhe të mos lejojë që situata e krijuar të ndikojë në vazhdimësinë e skuadrës.
Sipas Vatës, fokusi i Vllaznisë duhet të jetë te ndeshja e radhës ndaj Partizanit, një tjetër përballje e rëndësishme për kuqeblutë në këtë fillim kampionati.
Pas një jave të shoqëruar me tensione, reagime dhe masa disiplinore, Vllaznia kërkon tashmë të rikthejë vëmendjen te aspekti sportiv dhe te rezultatet në fushën e lojës. Përballja me Partizanin shihet si mundësia e parë për skuadrën shkodrane që të lërë pas zhvillimet e ditëve të fundit dhe të përqendrohet te objektivat e saj në kampionat.
