KF Vllaznia ka reaguar pas qëndrimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për incidentin e raportuar pas ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia, duke kundërshtuar mënyrën se si është trajtuar publikisht çështja që përfshin presidentin e klubit, Alban Xhaferi.
Në një deklaratë për shtyp, klubi shkodran ngre shqetësimin se zyrtarë të FSHF-së dhe më pas vetë Federata e kanë paraqitur si fakt pretendimin se Xhaferi ka goditur një prej zyrtarëve të ndeshjes, përpara se organet disiplinore të shqyrtojnë provat dhe të marrin një vendim.
Vllaznia i referohet konkretisht një deklarate televizive të zyrtarit të FSHF-së, Klajdi Kola, i cili, sipas klubit, e cilësoi informacionin për incidentin si “lajm të konfirmuar”. Më pas, sipas kuqebluve, edhe qëndrimi zyrtar i Federatës e paraqiti akuzën ndaj presidentit të Vllaznisë si një fakt të kryer.
Klubi ngre pikëpyetje mbi pavarësinë e procesit disiplinor, duke argumentuar se FSHF është shprehur publikisht për autorin dhe përgjegjësinë përpara se organet kompetente të japin vendimin e tyre.
Në deklaratë, Vllaznia thekson se dënon çdo formë dhune ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo personave të tjerë, por njëkohësisht rikthen në vëmendje pretendimet e saj për dëmtime nga vendimmarrjet arbitrale.
Sipas klubit shkodran, pas rezultateve sportive qëndrojnë investimet e drejtuesve, puna e stafit dhe futbollistëve, si dhe pasioni i tifozëve, ndaj kërkohet që respekti ndaj institucioneve të shoqërohet edhe me drejtësi dhe standard të barabartë në arbitrim.
Vllaznia kërkon respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës së palëve për t’u dëgjuar, ndërsa i drejtohet publikisht presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke i kërkuar ndërhyrje institucionale për të garantuar paanshmërinë e procesit.
Klubi kërkon gjithashtu që materialet filmike, raportet zyrtare dhe çdo provë tjetër për incidentin të administrohen dhe vlerësohen nga organet kompetente, përpara përcaktimit të përgjegjësive.
Në mbyllje, Vllaznia kërkon nga Federata Shqiptare e Futbollit “drejtësi, paanshmëri, etikë institucionale dhe respekt të barabartë”, duke e konsideruar situatën e krijuar si një klimë tensioni që rrezikon të përshkallëzohet brenda futbollit shqiptar.
Reagimi i plotë i KF Vllaznia ndaj FSHF
DEKLARATË PËR SHTYP
Klubi i Futbollit Vllaznia, pas zhvillimeve që pasuan ndeshjen AF Elbasani – KF Vllaznia, e konsideron të domosdoshme t'i drejtohet opinionit publik dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit për një situatë që tashmë tejkalon atë çfarë ka ndodhur në fushën e lojës.
Pak orë pas përfundimit të ndeshjes, zyrtari i FSHF-së, z. Klajdi Kola, në një dalje televizive në RTSH, deklaroi publikisht dhe në mënyrë kategorike se Presidenti i KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi, kishte goditur një nga zyrtarët e ndeshjes, duke e cilësuar informacionin si “lajm të konfirmuar”. Ky pretendim u bë publik përpara se organet kompetente të kishin administruar provat, dëgjuar palët dhe, mbi të gjitha, përpara ekzistencës së një vendimi nga organi disiplinor kompetent.
Akoma më shqetësues është fakti se, disa orë më vonë, vetë Federata Shqiptare e Futbollit, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi një qëndrim ku përmend nominalisht Presidentin e KF Vllaznia dhe e paraqet akuzën ndaj tij si një fakt të kryer, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë njofton se organet kompetente disiplinore do të procedojnë dhe do të marrin vendimet e tyre “në pavarësi të plotë”.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë më i madh institucional. Si mund të garantohet realisht pavarësia e organit disiplinor kur institucioni të cilit ky organ i përket ka dalë publikisht, përpara vendimmarrjes së tij, duke përcaktuar autorin, veprimin dhe përgjegjësinë?
KF Vllaznia dënon pa asnjë ekuivok çdo formë dhune në futboll, ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo kujtdo tjetër. Dhuna është dhe do të mbetet e papranueshme.
Por po aq e papranueshme është që një klub të ndihet vazhdimisht i dëmtuar nga vendimmarrje arbitrale që cenojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificën e tij. Pas çdo ndeshjeje qëndrojnë investimi i Presidentit dhe i klubit, puna e përditshme e stafit, mundi dhe djersa e futbollistëve dhe mbi të gjitha pasioni i mijëra tifozëve kuq e blu. Askush nuk mund të kërkojë qetësi dhe respekt nga klubet, pa garantuar në të njëjtën kohë drejtësi, përgjegjësi dhe standard të barabartë nga arbitrat dhe institucionet që i mbikëqyrin ata.
Për KF Vllaznia kjo merr një peshë edhe më të madhe, sepse flasim për një klub që përfaqëson Shkodrën, qytetin ku lindi futbolli shqiptar, dhe një nga traditat më të mëdha sportive të vendit. Respekti për këtë histori nuk kërkon privilegje; kërkon vetëm trajtim të drejtë dhe të barabartë në fushën e lojës.
Po aq fuqishëm ne mbrojmë parimin e procesit të rregullt, prezumimin e pafajësisë, të drejtën për t'u dëgjuar dhe detyrimin e institucioneve sportive për të mos paragjykuar çështje që duhet të shqyrtohen nga organet kompetente.
FSHF nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument përmes të cilit deklaratat individuale të zyrtarëve të saj marrin vulën institucionale dhe përdoren për të zhvilluar një gjykim publik ndaj Presidentit të një klubi anëtar, përpara përfundimit të procedurave përkatëse.
Federata Shqiptare e Futbollit është para së gjithash Federata e klubeve të saj anëtare. Detyra e saj është të garantojë integritetin e garës, zbatimin e barabartë të rregulloreve, paanshmërinë e administratës dhe organeve të saj, si dhe respektin institucional ndaj çdo klubi anëtar. Mbrojtja legjitime e arbitrave dhe zyrtarëve nuk mund të realizohet duke cenuar këto parime apo duke paragjykuar përgjegjësinë e një pale përpara shqyrtimit të fakteve.
Për këtë arsye, KF Vllaznia i drejtohet publikisht Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, duke i kërkuar të ndërhyjë institucionalisht për të frenuar këtë klimë të papranueshme të gjykimit publik të iniciuar nga zyrtarë të Federatës, të garantojë që administrata e FSHF-së të respektojë kompetencat e organeve të pavarura disiplinore dhe të sigurojë që çdo çështje të trajtohet vetëm mbi bazën e provave, rregulloreve dhe procedurave përkatëse.
KF Vllaznia kërkon gjithashtu që çdo material filmik, raport zyrtar dhe provë tjetër lidhur me ngjarjen të administrohet dhe vlerësohet nga organet kompetente, duke garantuar të drejtën e klubit dhe të Presidentit të tij për t'u dëgjuar dhe për t'u mbrojtur përpara se të shpallet publikisht çfarëdo përgjegjësie.
Me shqetësimin për përshkallëzimin e një klime tensioni brenda familjes sportive, kërkojmë drejtësi, paanshmëri, etikë institucionale dhe respekt të barabartë për KF Vllaznia si klub anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit
