Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas incidenteve që pasuan ndeshjen mes Elbasanit dhe Vllaznisë, të përfunduar në barazim 1-1 në “Elbasan Arena”.

Në një qëndrim zyrtar, FSHF dënon me forcë atë që e cilëson si një incident të rëndë, duke deklaruar se presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka goditur fizikisht një prej asistentëve të arbitrit pas përfundimit të takimit.

Sipas Federatës, një veprim i tillë është i papranueshëm dhe dhuna ndaj arbitrave apo zyrtarëve të ndeshjes cenon integritetin e garës dhe vlerat e sportit.

FSHF thekson se përgjegjësia e drejtuesve të klubeve është edhe më e madhe, pasi ata duhet të japin shembull korrektësie dhe respekti, pavarësisht tensionit të ndeshjes apo pakënaqësive ndaj vendimeve të arbitrimit.

Federata bën të ditur se organet kompetente disiplinore do të procedojnë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe do të marrin në mënyrë të pavarur vendimet përkatëse për incidentin.

Reagimi vjen pas një fundi të tensionuar të sfidës Elbasani–Vllaznia, ku shkodranët kontestuan disa vendime të arbitrimit, përfshirë dy gola të anuluar në minutat e fundit.

FSHF nënvizon se kritikat dhe kundërshtimet ndaj arbitrimit janë pjesë e debatit në futboll, por vendos një kufi të prerë ndaj dhunës fizike, duke paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë për raste të tilla, pavarësisht klubit, emrit apo pozicionit të personit të përfshirë.

Reagimi i plotë i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë incidentin e rëndë të ndodhur pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia, ku Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka goditur fizikisht një prej asistentëve të arbitrit të ndeshjes.

Një akt i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe nuk ka asnjë vend në futbollin shqiptar. Dhuna ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes përbën një cenim të rëndë të integritetit të garës dhe të vetë vlerave të sportit.

Përgjegjësia e drejtuesve të klubeve është edhe më e madhe. Ata duhet të jenë shembull i korrektësisë dhe respektit ndaj kundërshtarit, arbitrave dhe institucioneve të futbollit, pavarësisht tensionit të një ndeshjeje apo pakënaqësisë ndaj vendimeve të arbitrimit.

Organet kompetente disiplinore të FSHF-së do të procedojnë në përputhje me rregulloret në fuqi dhe në pavarësi të plotë në marrjen e vendimeve përkatëse.

FSHF do të mbrojë me vendosmëri arbitrat dhe çdo zyrtar të ndeshjes nga dhuna, kërcënimet dhe presioni. Mund të ketë debate, kritika dhe kundërshtime për vendimet e arbitrimit, por ekziston një vijë që askush nuk mund ta kalojë: dhuna fizike.

Në futbollin shqiptar nuk mund dhe nuk do të ketë tolerancë për akte të tilla, pavarësisht emrit, klubit apo pozicionit të personit që i kryen.