Nga Rush Dragu
Sot, përsëri, pas ndeshjes me Elbasanin, trajneri i “Vllaznisë” nuk doli përpara kamerave të RTSH-së për të dhënë prononcimin e tij pas ndeshjes.
Dhe kjo nuk mund të kalojë më thjesht si një episod i zakonshëm.
Vazhdon prej kohësh një konflikt personal mes drejtueses së emisionit sportiv, Sako, dhe trajnerit Martini. Një përplasje që, sipas asaj që është bërë publike, ka nisur sezonin e kaluar dhe që duket se ende vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet profesionale.
Por pyetja është e thjeshtë: pse duhet të vuajë futbolli shqiptar nga konfliktet personale të individëve?
Dy institucione të rëndësishme të sportit dhe medias shqiptare, RTSH-ja dhe “Vllaznia”, nuk mund të lejojnë që marrëdhëniet personale të individëve të pengojnë komunikimin normal me publikun.
Në fund të fundit, aty nuk janë vetëm Sako dhe Martini. Aty janë futbollistët që djersijnë në fushë, tifozët që i ndjekin dhe i mbështesin, si dhe publiku shqiptar që ka të drejtë të informohet.
Askush nuk mundet që futbollistëve, tifozëve apo publikut të bëhen peng i tekave, inateve apo kokëfortësisë së individëve.
Ka mekanizma dhe mënyra qytetare për të zgjidhur çdo konflikt. Ka dialog, ka komunikim dhe ka institucione përgjegjëse. Ajo që nuk mund të pranohet është që një mosmarrëveshje personale të shndërrohet në një pengesë për punën dhe mbarëvajtjen e sportit.
Boll është boll!
E kemi kuptuar se asnjëra palë nuk dëshiron të “ulë hundën”. Por puna është punë. Çështjet private dhe personale nuk mund të bashkohen me procesin profesional dhe sportiv.
RTSH-ja është media publike dhe financohet në një masë të konsiderueshme nga taksapaguesit shqiptarë. Për këtë arsye, përgjegjësia e saj ndaj publikut është edhe më e madhe.
Po ashtu, “Vllaznia” është një klub me një histori dhe një komunitet të madh tifozësh, veçanërisht në Shkodër. Respekti për këtë histori dhe për këta tifozë kërkon që të gjithë ata që përfaqësojnë klubin të vendosin interesin e skuadrës dhe të sportit mbi çdo konflikt personal.
Prandaj, është koha që të gjithë të mbledhin mendjen.
Të ulen armët, të mbyllen hesapet personale dhe t’i lihet vend arsyes.
Në një emision sportiv nuk jeni aty për të qenë “vetvetja” në kuptimin e konflikteve dhe inateve personale. Jeni aty sepse përfaqësoni institucione dhe, mbi të gjitha, jeni në shërbim të publikut.
Futbolli shqiptar ka nevojë për profesionalizëm, respekt dhe kulturë sportive. Nuk ka nevojë për sherre personale që e dëmtojnë atë.
Puna është punë. Konfliktet personale zgjidhen jashtë saj.
