Në mjediset e Shtëpisë së Pashko Vasës në Shkodër u zhvillua këtë të diel takimi i parë i nismës “Lidhja e Fiseve të Shkodrës”, një iniciativë që synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi mes fiseve shkodrane dhe të promovojë vlerat e trashëgimisë së tyre.
Nisma është konceptuar nga Artur Shkurti, drejtor i shkollës “Udha e shkronjave” në Tiranë, ndërsa takimi u organizua në bashkëpunim me familjen trashëgimtare të Pashko Vasës.
Ideatori Artur Shkurti shpjegon konceptin e kësaj iniciative, duke theksuar se ajo synon të afrojë fiset rreth vlerave të përbashkëta dhe të krijojë ura komunikimi mes tyre.
Sipas Shkurtit, “Lidhja e Fiseve të Shkodrës” nuk ka karakter politik apo fetar. Nisma synon të qëndrojë e hapur për të gjithë, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësisë fetare, duke vendosur në qendër bashkimin dhe trashëgiminë e përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mënyrën se si kjo iniciativë mund të organizohet në vazhdim, si dhe për krijimin e hapësirave të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet fiseve.
“Lidhja e Fiseve të Shkodrës” konceptohet si pjesë e një nisme më të gjerë për Lidhjen e Fiseve Shqiptare, me synimin që organizimi të shtrihet përtej Shkodrës dhe të përfshijë në të ardhmen edhe fise nga treva të tjera shqiptare.
