Edicioni i 17-të i “Shkodra Jazz Festival” ka ulur siparin pas disa netësh të mbushura me muzikë dhe artistë vendas e të huaj. Mbrëmja përmbyllëse solli në sheshin para Bashkisë Shkodër performancat e Tiziana Cappellino Trio dhe Mario Marzi & String Quintet, duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.
Përgjatë festivalit, Shkodra u kthye në një pikë takimi për artistë nga vende të ndryshme, të cilët sollën në qytet tinguj dhe interpretime të ndryshme të muzikës jazz. Drejtori artistik i festivalit, Florian Jakaj, thotë se përshtypjet e artistëve pjesëmarrës për Shkodrën dhe publikun e saj kanë qenë pozitive.
Jakaj vë theksin edhe te rëndësia e mbështetjes së festivalit, në mënyrë që kjo iniciativë kulturore të vijojë të rritet dhe të promovojë muzikën jazz, duke sjellë çdo vit artistë dhe eksperienca të reja në Shkodër.
Me koncertin përmbyllës, edicioni XVII i “Shkodra Jazz Festival” mbylli një tjetër rrugëtim muzikor, duke konfirmuar tashmë traditën e krijuar ndër vite dhe vendin e jazz-it në kalendarin kulturor të Shkodrës.
