Elbasani dhe Vllaznia janë ndarë në barazim 1-1 në javën e dytë të Abissnet Superiore, por rezultati ka kaluar në plan të dytë pas një fundi dramatik, me dy gola të anuluar për shkodranët, protesta ndaj arbitrimit dhe tensione që kanë vijuar edhe pas vërshëllimës përfundimtare.

Vllaznia kaloi e para në avantazh me Edon Muratajn dhe për një pjesë të mirë të takimit arriti të administronte rezultatin, duke u përpjekur të shfrytëzonte kundërsulmet. Elbasani reagoi në pjesën e dytë dhe gjeti barazimin 1-1 me ish-sulmuesin e kuqebluve, Rubin Hebaj.

Megjithatë, episodet që ndezën sfidën erdhën në minutat e fundit. Vllaznia dërgoi dy herë të tjera topin në rrjetë, fillimisht me Ardit Tafilin dhe më pas me Emiljano Mustën, por në të dy rastet golat u anuluan për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it.

Vendimet sollën protesta të forta nga pankina shkodrane. Trajneri Edi Martini, pas golit të dytë të anuluar, hyri në fushë duke festuar dhe bëri shenjën e VAR-it, veprim për të cilin më pas u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Dorjan Maletaj.

Borshi: “Sot është bërë një masakër”

Pas ndeshjes, zv.trajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, përdori tone shumë të ashpra ndaj arbitrimit, duke e cilësuar atë që ndodhi në “Elbasan Arena” si një padrejtësi ndaj skuadrës shkodrane.

“Sot është bërë një masakër, një padrejtësi në kurriz të lojtarëve të Vllaznisë. Këtu është ngrënë mundi i të gjithë lojtarëve dhe stafit”, deklaroi Borshi.

Sipas tij, kontestimet e Vllaznisë nuk lidhen vetëm me dy golat e anuluar. Borshi pretendoi se në pjesën e parë duhej të ishte akorduar karton i kuq për një ndërhyrje ndaj Mehmetit.

“Nuk e di ku është problemi i Vllaznisë. Nuk e di çfarë i ka bërë Vllaznia Bajramit dhe Maletës. Ndoshta problemi i Vllaznisë është se jemi shumë në veri të vendit dhe është larg kryeqytetit. Duhen marrë masa”, deklaroi ai.

Gvozdenoviç: Elbasani ishte skuadra më dominuese

Në kampin tjetër, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, nuk ishte dakord me idenë se skuadra e tij kishte marrë me fat një pikë.

Sipas teknikut, Elbasani krijoi disa mundësi të pastra gjatë takimit dhe për pjesën më të madhe të ndeshjes ishte skuadra më dominuese. Ai pranoi megjithatë se skuadra e tij pati probleme në tranzicionin negativ, veçanërisht në minutat e fundit.

“Edhe një pikë në një ndeshje si derbi nuk është keq, por sot jam më i mërzitur se me Laçin”, deklaroi Gvozdenoviç, duke theksuar se skuadra duhet të punojë për të korrigjuar gabimet.

Murataj, lojtari i ndeshjes

Edon Murataj, autor i golit të Vllaznisë, u zgjodh lojtari i ndeshjes. Futbollisti kuqeblu theksoi se skuadra është në rritje fizike dhe se objektivi kryesor mbetet fitorja.

“Shumë lojtarë janë gati fizikisht dhe janë në rritje. Unë fizikisht ndihem mirë dhe do të bëj çmos të ndihmoj ekipin. E rëndësishme është të fitojmë”, u shpreh Murataj.

Raportohet për incident me presidentin e Vllaznisë

Tensionet nuk përfunduan me ndeshjen. Sipas raportimeve mediatike, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka goditur me grusht asistentin e arbitrit, Ergys Spahiu, në ambientet e brendshme të stadiumit.

Po sipas këtyre raportimeve, Xhaferi ka tentuar të godasë edhe gjyqtarin kryesor Dorjan Maletaj. Për incidentin pritet që raportet e zyrtarëve të ndeshjes dhe vendimet e organeve kompetente të përcaktojnë zyrtarisht dinamikën dhe përgjegjësitë.

Situata e tensionuar në korridoret e stadiumit u reflektua edhe gjatë intervistës së trajnerit të Elbasanit për RTSH. Në sfond u dëgjua delegati i ndeshjes, Bujar Pregja, teksa debatonte me një person tjetër, duke bërë që Gvozdenoviç të ndërpriste për pak çaste prononcimin.

Pretendohet se Musta u godit jashtë stadiumit

Një tjetër episod raportohet të ketë ndodhur jashtë “Elbasan Arena”. Futbollisti i Vllaznisë dhe ish-lojtari i Elbasanit, Emiljano Musta, pretendohet se është sulmuar fizikisht nga disa persona teksa po drejtohej drejt autobusit të skuadrës.

Gjatë ndeshjes, edhe pse takimi zhvillohej pa praninë e tifozëve për shkak të një mase disiplinore, në tribunën VIP kishte persona të pranishëm dhe nga kampi shkodran është pretenduar se Musta dhe pjesëtarë të tjerë të Vllaznisë janë fyer dhe provokuar.

Sipas raportimeve, situata jashtë stadiumit është qetësuar pas ndërhyrjes së pjesëtarëve të skuadrës së Vllaznisë, ndërsa Musta është larguar më pas me autobusin e ekipit.

Në pritje të sqarimit zyrtar të incidenteve dhe episodeve të kontestuara, ajo që mbetet nga fusha është rezultati 1-1. Pas dy javëve të para të kampionatit, si Vllaznia ashtu edhe Elbasani kanë nga dy pikë dhe vazhdojnë të kërkojnë fitoren e parë të sezonit.