Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, po vijon punën për pastrimin e kanalit kryesor kullues në zonën e Nënshkodrës. Ndërhyrja shtrihet në një gjatësi prej 9.7 kilometrash dhe synon përmirësimin e sistemit të kullimit në këtë zonë. Puna pritet të ndikojë në funksionimin më të mirë të rrjetit kullues në zonat e Dajçit dhe Trushit, duke mundësuar largimin më të shpejtë të ujërave dhe duke reduktuar rrezikun e përmbytjeve, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të dendura.

Përgjegjësi i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Muhamet Muça, evidenton rëndësinë e ndërhyrjes dhe ndikimin që pastrimi i kanalit ka për zonën. Pastrimi i kanalit kryesor i shërben drejtpërdrejt edhe mbrojtjes së tokave bujqësore, një prej burimeve kryesore të ekonomisë për banorët e zonës. Rritja e kapacitetit kullues pritet të krijojë kushte më të mira për fermerët dhe të ndihmojë në shmangien e grumbullimit të ujërave në tokat bujqësore.

Ndërhyrja në Nënshkodër është pjesë e punës për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës kulluese në zonat që ndër vite kanë qenë të ekspozuara ndaj problematikave të shkaktuara nga reshjet dhe prurjet e ujërave.