Teatri “Migjeni” u bë sërish mjedisi mikpritës i tingujve të “Shkodra Jazz Festival”, ndërsa këtë herë në skenë u ngjit për herë të parë grupi rumun FilJazz Pitești Trio, së bashku me vokalisten Anita Petruescu.

Koncerti solli për publikun shkodran një tjetër mbrëmje nën ritmet e jazz-it, duke zgjeruar mozaikun e artistëve ndërkombëtarë që po bëhen pjesë e edicionit të 17-të të festivalit.

Pas performancës, vokalistja Anita Petruescu ndau emocionet e saj për koncertin dhe vizitën e parë në Shqipëri, duke veçuar mikpritjen, qytetin e Shkodrës dhe publikun.

“Ndihem vërtet shumë e emocionuar që interpretova këtu. Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri dhe më lumturon fakti që e ndamë muzikën tonë me publikun. I gjithë qëndrimi këtu, nga momenti i mbërritjes, ishte mbresëlënës. Na pëlqeu shumë edhe qyteti i Shkodrës dhe njerëzit. Muzika jazz është tepër e rëndësishme, pasi ajo rrëfen ndjenjat dhe emocionet dhe përmes tingujve lidhemi më shumë me publikun,” u shpreh Anita Petruescu.

“Shkodra Jazz Festival” do të vijojë me të tjera koncerte dhe aktivitete në hapësira të ndryshme të qytetit, duke sjellë në Shkodër artistë dhe eksperienca të ndryshme muzikore.