Bjeshkët e Nëmuna po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj dhe mediave ndërkombëtare, duke u renditur mes destinacioneve malore më interesante për t’u eksploruar gjatë verës.

Media britanike “The Independent” i përfshin Bjeshkët e Nëmuna mes destinacioneve malore evropiane të sugjeruara për vitin 2026. Në një kohë kur valët e të nxehtit dhe zjarret pyjore po nxisin shumë turistë të kërkojnë alternativa më të freskëta, zonat malore po fitojnë terren ndaj destinacioneve tradicionale verore.

Në artikull, Shqipëria vlerësohet jo vetëm për bregdetin, por veçanërisht për pasurinë e saj malore. Bjeshkët e Nëmuna përshkruhen për luginat, kullotat e larta, pyjet pothuajse të paprekura dhe peizazhet që krijojnë mundësi për ecje, çiklizëm dhe eksplorim të natyrës.

Vëmendje të veçantë Bjeshkëve të Nëmuna i ka kushtuar edhe CNN, duke u ndalur te shtegu ndërkufitar “Majat e Ballkanit”, i cili lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Itinerari prej rreth 193 kilometrash përshkon një prej zonave malore më të egra të Evropës, mes majave të larta, liqeneve akullnajore, livadheve dhe pyjeve të dendura. Në pjesën shqiptare, Valbona dhe Çeremi janë ndër pikat e rëndësishme të këtij itinerari.

Krahas natyrës, një tjetër element që vlerësohet është mikpritja e banorëve. Bujtinat familjare u ofrojnë vizitorëve ushqime tradicionale dhe mundësinë për të njohur nga afër mënyrën e jetesës në zonat e thella malore.

Rritja e interesit po sjell edhe mundësi të reja ekonomike për familjet vendase, të cilat po e lidhin gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre me turizmin malor.

Sezoni kryesor për ecjet në Bjeshkët e Nëmuna shtrihet nga qershori deri në shtator, ndërsa terreni dhe ndryshimet e shpejta të motit kërkojnë përgatitje nga vizitorët.

Vlerësimet e mediave ndërkombëtare e vendosin kështu këtë zonë në hartën e destinacioneve të rëndësishme të turizmit malor në Evropë. Sfida, ndërsa numri i vizitorëve rritet, mbetet ruajtja e natyrës së paprekur dhe e karakterit autentik që e ka bërë Bjeshkët e Nemuna gjithnjë e më tërheqëse për turistët.