Tre persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqeshin duke vendosur një kalë të vogël, pon, në një mjet lundrues në breg të detit, në plazhin e Velipojës.
Sipas Policisë, menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, nisën verifikimet dhe arritën të identifikonin tre personat që shfaqeshin në video.
Pas veprimeve të kryera, materialet iu referuan Prokurorisë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre personave, të moshave 36, 61 dhe 40 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Ndërkohë, 36-vjeçari, i cili rezulton të jetë pronari i mjetit lundrues, është ndëshkuar nga Policia Kufitare edhe me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, në bazë të ligjit përkatës.
Rasti u bë publik përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, duke sjellë më pas reagimin e strukturave të Policisë në Velipojë. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo rast paligjshmërie apo keqtrajtimi të kafshëve ta denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.
