Varrezat e Rrmajit në Shkodër, një prej vendeve simbol të persekutimit komunist, do të jenë tashmë edhe një hapësirë zyrtare kërkimi për personat e vrarë nga regjimi diktatorial, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, bëri të ditur se vetëm në qarkun e Shkodrës janë evidentuar 372 persona të vrarë gjatë diktaturës, të cilëve ende nuk u janë gjetur trupat. Sipas saj, procesi për lokalizimin dhe gjetjen e tyre ka nisur, por paraqitet tepër i vështirë për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar dhe vështirësive në përcaktimin e vendeve ku mund të jenë varrosur.

Në këtë proces përfshihen tashmë edhe Varrezat e Rrmajit, të cilat janë shpallur zyrtarisht vend kërkimi, duke rikthyer vëmendjen te një prej hapësirave më të lidhura me historinë e persekutimit komunist në Shkodër.

Rëndësinë e Rrmajit si vend i kujtesës dhe dëshmisë e theksoi edhe Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine. Ai u shpreh se Rrmaji mbetet një vend dëshmie për ata që sistemi i kohës nuk i deshi, duke nënvizuar nevojën për të ruajtur kujtesën e viktimave.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe familjarët e personave të zhdukur, të cilët edhe pas dekadash vijojnë të kërkojnë përgjigje për fatin e të afërmve të tyre dhe vendin ku ndodhen eshtrat.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve, ish-të përndjekur politikë dhe familjarë të viktimave.

Në kuadër të tij u përurua edhe Ekspozita e Përhershme Informuese në Varrezat e Rrmajit, kushtuar viktimave të regjimit komunist. Ekspozita synon të dokumentojë dhe të mbajë gjallë kujtesën për të përndjekurit dhe të vrarët e diktaturës, duke e kthyer këtë hapësirë edhe në një pikë informimi për brezat e rinj.

Aktiviteti u organizua nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult, në bashkëpunim me Shoqatën e Ish-të Përndjekurve Politikë, Dega Shkodër, Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës dhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.