Vllaznia do të kërkojë rezultat pozitiv në transfertën ndaj Elbasanit, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të Abissnet Superiore. Një ditë përpara ndeshjes, trajneri i kuqebluve, Edi Martini, doli në konferencën për mediat, duke theksuar rëndësinë që kanë pikët në ndeshjet e para të kampionatit.

Sipas teknikut shkodran, në këtë fazë të sezonit skuadra ka ende nevojë për kohë për të arritur formën dhe harmonizimin e duhur, por objektivi kryesor mbetet grumbullimi i sa më shumë pikëve. Gjatë konferencës, Martini foli edhe për largimin e Kobiljarit nga Vllaznia, duke komentuar ndarjen e mesfushorit me klubin kuqeblu.

Vllaznia vjen në këtë përballje pas barazimit 2-2 me Skënderbeun në javën e parë, një ndeshje ku shkodranët nuk arritën të ruanin avantazhin prej dy golash. Sfida Elbasani–Vllaznia do të luhet këtë të shtunë, në orën 18:30, në stadiumin “Elbasan Arena”, me kuqeblutë që synojnë pikët e para në transfertë në këtë sezon.