Në një prej rrugëve të Shkodrës, një pllakë në fasadën e një ndërtese ruan ende një dëshmi të rëndësishme: “Në këtë shtëpi banoi poeti Migjeni”. Është banesa ku jetoi një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, ndërsa sot ajo ka një tjetër funksion.

E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1973, ndërtesa ka shërbyer për një periudhë edhe si shtëpi-muze. Pas viteve ’90 prona iu kthye pronarëve, ndërsa më vonë u kthye në kuvend të Motrave Françeskane Misionare të Jezusit Fëmijë.

Brenda saj sot nuk ruhen objekte që i përkisnin Migjenit. Një prej motrave që jeton në kuvend tregon se dëshmitë materiale të lidhura me poetin ruhen në Muzeun Historik të Shkodrës, por mes së shkuarës dhe misionit të sotëm të kësaj shtëpie ajo gjen një tjetër lidhje.

Migjeni njihet edhe për mënyrën se si solli në krijimtarinë e tij mjerimin, varfërinë dhe realitetin e shtresave të varfra të shoqërisë. Dekada më vonë, në ndërtesën ku ai dikur jetoi, motrat misionare hapin dyert për qytetarët dhe veçanërisht për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje.

Ato i ndihmojnë fëmijët në mësime dhe në zhvillimin e aftësive të tyre, ndërsa për familjet dhe personat në nevojë ofrohet edhe ndihmë sociale, deri te një pjatë e ngrohtë.

Koha i ka ndryshuar funksionin shtëpisë dhe sendet e Migjenit nuk ndodhen më brenda saj. Megjithatë, përtej pllakës që kujton se këtu dikur banoi poeti, brenda këtyre mureve vazhdon sot një mision që prek një prej realiteteve për të cilat Migjeni shkroi: kujdesin ndaj njerëzve që përballen me varfërinë dhe vështirësitë e jetës.