Edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore” nisi me spektakël në stadiumin “Loro Boriçi”. Vllaznia dhe Skënderbeu ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2, në një ndeshje ku të katër golat u shënuan në pjesën e dytë.

Pas 45 minutave të para pa gola, Vllaznia e nisi fuqishëm pjesën e dytë. Bekim Balaj konfirmoi edhe një herë peshën e tij në sulmin kuqeblu, duke realizuar dy herë brenda pak minutash. Sulmuesi shkodran zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të dhe vetëm katër minuta më vonë shënoi sërish për avantazhin 2-0.

Por Skënderbeu reagoi menjëherë. Në minutën e 58-të Janaqi ngushtoi diferencën, duke rikthyer korçarët në lojë. Miqtë vijuan të besonin te barazimi dhe në minutën e 74-t Bismark, një ish-futbollist i Vllaznisë, ndëshkoi kuqeblutë duke vendosur rezultatin në 2-2.

Në minutat e mbetura Vllaznia kërkoi golin e fitores, ndërsa Skënderbeu u mbrojt i organizuar dhe arriti të ruante barazimin. Situata u vështirësua edhe më shumë për shkodranët në minutën e 87-të, kur Dulysse mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me dhjetë futbollistë.

Kështu Vllaznia shpërdoroi avantazhin e dy golave dhe e nisi kampionatin me një pikë, ndërsa Skënderbeu u largua nga “Loro Boriçi” me një barazim të rëndësishëm. Ndeshja që hapi edicionin e 88-të të “Abissnet Superiore” u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH.

Reagimet pas ndeshjes

Pas barazimit 2-2 ndaj Skënderbeut në “Loro Boriçi”, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, analizoi atë që nuk funksionoi te skuadra e tij, e cila shpërdoroi avantazhin e dy golave.

Tekniku shkodran u shpreh se pas rezultatit 2-0, skuadra e mendoi ndeshjen të fituar përpara kohe. Sipas Martinit, kjo ndikoi në lojën e kuqebluve, të cilët nuk arritën të administronin avantazhin dhe lejuan Skënderbeun të rikthehej në rezultat.

Në kampin korçar, barazimi në Shkodër u vlerësua pozitivisht. Trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, e cilësoi rezultatin një pikë të fituar për skuadrën e tij, veçanërisht pas disavantazhit të dyfishtë. Ahmataj foli gjithashtu për objektivat e Skënderbeut, duke theksuar se skuadra ka pretendime ambicioze për këtë sezon.

Pas barazimit në javën e parë të “Abissnet Superiore”, Vllaznia do të kërkojë fitoren e parë sezonale në transfertë. Kuqeblutë do të përballen me Elbasanin më 29 gusht, në sfidën e javës së dytë të kampionatit.