Kalaja e Rozafës vijon të jetë një prej pikave kryesore të turizmit kulturor në vend. Gjatë periudhës janar–korrik 2026, Parku Arkeologjik i Shkodrës regjistroi 108 mijë e 150 vizitorë, duke u renditur mes destinacioneve më të vizituara të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Fluksi është i dukshëm edhe gjatë muajit gusht, ku krahas turistëve të huaj, një pjesë të rëndësishme të vizitorëve e përbëjnë vendasit dhe emigrantët që kthehen për pushime. Kalaja e Rozafës mbetet një prej ndalesave të preferuara për historinë që mbart, por edhe për panoramën që ofron mbi Shkodrën, liqenin dhe lumenjtë.
Rritja e vizitorëve në Rozafë vjen në një periudhë kur institucionet e trashëgimisë kulturore në vend po regjistrojnë shifra në rritje. Sipas të dhënave të bëra publike për periudhën janar–korrik, këto institucione u vizituan nga 824 mijë e 340 persona, vendas dhe të huaj. Kjo përfaqëson një rritje prej 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ndërkohë, synohet edhe përmirësimi i infrastrukturës në zonën e Kalasë së Rozafës. Projekti i prezantuar nga Bashkia Shkodër parashikon ndërtimin e një parkimi për autobusët turistikë dhe rikualifikimin e shtegut historik që të çon drejt kalasë.
Investimi synon të lehtësojë aksesin dhe të përmirësojë eksperiencën e turistëve në një prej monumenteve më të rëndësishme të Shkodrës, ndërsa numri i lartë i vizitorëve konfirmon peshën që Kalaja e Rozafës ka në ofertën turistike dhe kulturore të qytetit.
