Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për Vllazninë, pak para nisjes së sezonit të ri të Kategorisë Superiore. Kuqeblutë e hapin kampionatin mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, përballë Skënderbeut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci e cilëson futbollin si pjesë të historisë dhe traditës së Shkodrës, ndërsa Vllazninë si skuadrën që qëndron në zemër të kësaj historie.

“Futbolli nuk është vetëm sport. Është histori, traditë, emocion dhe një dashuri që kalon nga një brez te tjetri”, shkruan Beci, duke shprehur mbështetjen për futbollistët dhe stafin kuqeblu që do të përfaqësojnë fanellën dhe qytetin në sezonin e ri.

Një pjesë të veçantë të mesazhit, kryebashkiaku ia kushton tifozëve shkodranë, të cilët i cilëson si shpirtin e Vllaznisë për mbështetjen që i kanë dhënë skuadrës ndër vite.

“Suksese Vllazni! Luani me zemër për Shkodrën!”, përfundon mesazhi i Becit.

Vllaznia–Skënderbeu është sfida që hap edicionin e ri për kuqeblutë. Takimi luhet këtë të premte, në orën 21:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku Vllaznia synon ta nisë sezonin me rezultat pozitiv përpara publikut shkodran.