Kategoria Superiore nis edicionin e ri me një risi që synon t’u japë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj. Ekipet pjesëmarrëse do të kenë detyrimin që të aktivizojnë për të paktën 45 minuta një lojtar të datëlindjes 2007 e në vijim.

Ky rregull vlerësohet pozitivisht nga trajneri i Akademisë së Futbollit Vllaznia U-19, Haris Lika. Sipas tij, vendimi krijon më shumë mundësi për talentet e reja që të afrohen me futbollin profesionist dhe të fitojnë minuta në nivelin më të lartë të kampionatit shqiptar.

Për ekipet e moshave, sfida më e madhe mbetet përgatitja e futbollistëve në nivelin e duhur dhe furnizimi i vazhdueshëm i ekipit të parë me elementë cilësorë. Lika thekson rëndësinë e punës në akademi, në mënyrë që të rinjtë të jenë të gatshëm kur t’u jepet mundësia për të luajtur në Superiore.

Ndërkohë, Vllaznia dhe Skënderbeu do të hapin siparin e edicionit të 88-të të Kategorisë Superiore. Kuqeblutë do të presin korçarët këtë të premte në orën 21:00, ndërsa sfida do të vijë për sportdashësit edhe në ekranin e RTSH Shkodra.