Në kuadër të edicionit të 17-të të “Shkodra Jazz Festival”, vijojnë përgatitjet për koncertin e përbashkët të klasave të fizarmonikës dhe violinës. Koncerti do të mbahet të dielën, më 23 gusht, në Muzeun Historik të Shkodrës, duke sjellë në skenë punën e zhvilluar gjatë ditëve të festivalit.
Pjesë e përgatitjeve është edhe klasa e fizarmonikës, e drejtuar nga Bardh Jakova. Përmes punës me pjesëmarrësit, synohet jo vetëm përgatitja e programit të koncertit, por edhe përcjellja e eksperiencës artistike te brezi i ri.
“Shkodra Jazz Festival” ka sjellë këtë vit në Shkodër edhe artistë të huaj. Mes tyre është këngëtarja nga Holanda, Youandi, e cila vlerëson eksperiencën e saj në festival dhe atmosferën artistike të krijuar gjatë qëndrimit në qytet.
Koncerti i 23 gushtit do të jetë një tjetër moment i programit të pasur të edicionit të 17-të të “Shkodra Jazz Festival”. Aktivitetet dhe koncertet do të vijojnë deri në fund të muajit gusht, duke mbajtur gjallë traditën muzikore dhe atmosferën kulturore në Shkodër.
