Vllaznia dhe Vora kanë mbyllur fazën përgatitore me një ndeshje miqësore në stadiumin “Loro Boriçi”, në prag të nisjes së sezonit të ri në Kategorinë Superiore. Përballja përfundoi në barazim 2-2, ndërsa trajnerët Edi Martini dhe Arjan Bellai patën mundësi të testonin formacionet dhe gjendjen e futbollistëve.

Kuqeblutë zhvilluan një pjesë të parë pozitive dhe kaluan në avantazh me Bekim Balajn, i cili ekzekutoi saktë një penallti. Murataj dyfishoi rezultatin, por pak përpara përfundimit të 45 minutave të para, Karrica shënoi për Vorën, duke e ngushtuar diferencën në 2-1.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Bellai arriti të barazonte me anë të Traikov. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati 2-2 nuk ndryshoi deri në përfundimin e takimit.

Pas ndeshjes, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, u shpreh se skuadra është gati për nisjen e kampionatit. Ndërsa trajneri i Vorës, Arjan Bellai, e cilësoi përballjen në “Loro Boriçi” si një test tepër të vlefshëm për ekipin e tij përpara fillimit të sezonit.

Kategoria Superiore do të nisë të premten, më 21 gusht, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”, me ndeshjen ndërmjet Vllaznisë dhe Skënderbeut. Kuqeblutë synojnë ta nisin sezonin e ri me rezultat pozitiv përpara publikut shkodran.