“Rrok Academy”, pjesë e rëndësishme e “Shkodra Jazz Festival”, shënon këtë vit 10-vjetorin e krijimit. Ky përvjetor rikthen në vendlindje pedagogë dhe instrumentistë të njohur shkodranë, të cilët prej vitesh e ushtrojnë veprimtarinë e tyre artistike jashtë vendit.

Dega e muzikës klasike drejtohet nga Brixhilda Martini dhe Paçalin Pavaci, të cilët u përcjellin brezave të rinj njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale. Sipas tyre, mësimi i violinës nuk kufizohet vetëm te përvetësimi i një instrumenti, por shërben edhe si një formë edukimi që i afron të rinjtë me artin dhe i mban larg fenomeneve negative të shoqërisë.

Pjesë e programit është edhe klasa e fizarmonikës. Instrumentisti Bardh Jakova vlerëson faktin se “Shkodra Jazz Festival” krijon mundësinë që artistët shkodranë me karrierë jashtë vendit të rikthehen dhe të kontribuojnë në qytetin e tyre.

Përmes kurseve, masterclass-eve dhe veprimtarive artistike, “Rrok Academy” ka shërbyer gjatë këtyre 10 viteve si një hapësirë formimi dhe promovimi për fëmijët dhe të rinjtë e apasionuar pas muzikës.