Adrenalinë, muzikë dhe atmosferë e zjarrtë kanë shoqëruar natën e parë të “Sanfest”, festivalit që po zhvillohet në plazhin e Rrjollit, një nga destinacionet më të bukura bregdetare në veri të vendit. Edicioni i pestë solli një kombinim të festës, sportit dhe argëtimit, duke tërhequr të rinj dhe pushues të shumtë.
Programi nisi që në orët e paradites me aktivitete në det dhe në rërë, joga, zona lojërash elektronike dhe sporte ujore. Hapësirat e ndryshme u dhanë pjesëmarrësve mundësinë të përjetonin një ditë të mbushur me energji, ndërsa muzika e mbajti gjallë atmosferën deri në orët e vona të mbrëmjes.
Artistët e ftuar i dhanë edhe më shumë ritëm festës. Në programin e këtij edicioni janë emra si Jay Fase, Dymos, Shizzo, Eugent Bushpepa, Veleyla B2B Omerar dhe Nanda. Pjesë e festivalit janë gjithashtu DJ-të Tatu, Hektor Jubani, Noki, Kresha, Lab Sadiku, Ilir Lipe, Kreshatech, Teoh dhe Tezz.
Muzika live zë një vend të rëndësishëm në program, me performancat e Eugent Bushpepës, Ron Gjura Band së bashku me Kamela Islamajn dhe grupit Cipsy Groove. Ndërthurja e performancave muzikore me aktivitetet sportive dhe argëtuese synon ta shndërrojë “Sanfest” në një përvojë të plotë verore për pjesëmarrësit.
Nga paraditja deri vonë në mbrëmje, plazhi i Rrjollit do të vijojë të jetë një pikëtakim për muzikën, sportin dhe festën. “Sanfest” vazhdon më 15 dhe 16 gusht, duke premtuar dy netë të tjera me ritëm, energji dhe argëtim në bregdetin verior.






