Festa e Shën Rrokut është kremtuar këtë të diel në Shirokë, duke mbledhur besimtarët në një nga ngjarjet tradicionale të kalendarit fetar të zonës. Kremtimet nisën në orën 09:30 me procesionin e trupores së shenjtorit. Besimtarët e shoqëruan atë përgjatë rrugëve të Shirokës, në një atmosferë lutjeje dhe përkushtimi.

Pas procesionit, në orën 10:30, u kremtua Mesha e Shenjtë, ku të pranishmit u bashkuan në lutje dhe nderuan figurën e Shën Rrokut. Festa u organizua nga fretërit minorë kapuçinë dhe u u udhëhoq nga famullitari Atë Matteo Di Secli. Ngjarja festive riktheu në vëmendje një traditë fetare të ruajtur ndër breza. Shën Rroku nderohet në traditën katolike si mbrojtës i të sëmurëve dhe simbol i kujdesit ndaj njerëzve në nevojë.

Kremtimi i 16 gushtit mbetet një moment i rëndësishëm shpirtëror për komunitetin katolik të Shirokës dhe zonave përreth, duke bashkuar besimtarët rreth fesë, lutjes dhe traditës.