Nga kjo e premte ka nisur zbatimi i orarit të ri të transportit publik në linjën Shkodër–Shirokë–Zogaj. Frekuenca e autobusëve është shtuar ndjeshëm, duke u krijuar më shumë mundësi lëvizjeje gjatë gjithë ditës banorëve të zonës, por edhe vizitorëve që gjatë sezonit veror frekuentojnë dy pikat turistike në brigjet e Liqenit të Shkodrës.

Shtimi i frekuencave synon të lehtësojë lëvizjen mes qytetit, Shirokës dhe Zogajt, veçanërisht në një periudhë kur fluksi drejt zonës është më i lartë. Sipas Bashkisë Shkodër, ndryshimi nuk do të mbetet vetëm një masë sezonale.

Transporti publik në këtë linjë do të vijojë edhe gjatë muajve të dimrit, ndërsa oraret do të përshtaten në varësi të sezonit dhe nevojave për lëvizje.

Me zbatimin e orarit të ri synohet një lidhje më e mirë e Shirokës dhe Zogajt me qytetin e Shkodrës, duke e bërë transportin publik më të aksesueshëm dhe funksional gjatë gjithë vitit.