Pronarët e qenve dhe maceve tashmë mund të pajisin kafshët e tyre me Pasaportën Kombëtare të Unifikuar pranë klinikave veterinare të autorizuara që ofrojnë këtë shërbim.
Urdhri i Mjekut Veterinar njofton se dokumenti lëshohet në përputhje me urdhrin e ministrit nr. 634, datë 2 nëntor 2023, që përcakton rregullat për miratimin e lëvizjes jotregtare të kafshëve të shoqërimit.
Pasaporta shërben për identifikimin dhe shoqërimin ligjor të kafshës, ndërsa përmban të dhënat e saj dhe të pronarit. Qytetarët mund ta sigurojnë dokumentin vetëm pranë klinikave të përfshira në listën zyrtare.
Aktualisht, në qarkun e Shkodrës pasaportizimi ofrohet nga klinikat veterinare “Best Friends” në Putrat dhe “Shtëpia e Kafshëve” në Shkodër.
Lista e klinikave të autorizuara do të përditësohet periodikisht, duke përfshirë subjekte të tjera që plotësojnë kërkesat ligjore për ofrimin e këtij shërbimi. Autoritetet u bëjnë thirrje pronarëve që të kujdesen për pajisjen e kafshëve me dokumentacionin e nevojshëm ligjor.
