Organizatorët e Shkodra Jazz Festival kanë ndarë detajet e edicionit të ri, i cili këtë vit lidhet edhe me një tjetër moment të rëndësishëm: 10-vjetorin e krijimit të “Rrok Academy”, një nismë që ndër vite ka kontribuar në edukimin artistik të të rinjve.
Përmes “Rrok Academy”, fëmijë dhe të rinj kanë mundësi të marrin bazat e para në instrumente të ndryshme muzikore, por edhe të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fusha të tjera të muzikës dhe artit. Ky përvjetor e vendos edhe më shumë në fokus dimensionin edukativ që shoqëron festivalin.
Një pjesë e rëndësishme e programit të Shkodra Jazz Festival do të jenë koncertet, që do të sjellin për publikun artistë dhe formacione të ndryshme muzikore. Drejtori artistik, Florian Jakaj, thotë se programi është konceptuar për të ofruar disa ditë të mbushura me muzikë dhe aktivitete artistike.
Përtej koncerteve dhe edukimit të brezave të rinj, festivali synon të promovojë dhe të mbajë gjallë traditën kulturore e muzikore që Shkodra ka trashëguar ndër vite. Muzikanti Markelian Kapidani vlerëson rëndësinë e këtij aktiviteti në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj tradite.
Shkodra Jazz Festival vijon kështu të ndërthurë performancën artistike me edukimin muzikor, duke krijuar hapësira për artistët, publikun dhe veçanërisht brezat e rinj që hedhin hapat e parë në botën e muzikës.
