Edukimi i brezave të rinj me historinë dhe artin e fotografisë është prej një dekade pjesë e rëndësishme e programeve të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Përmes punëtorive, aktiviteteve edukative dhe masterclass-eve, muzeu synon t’i afrojë fëmijët dhe të rinjtë me trashëgiminë fotografike, duke nxitur njëkohësisht kreativitetin dhe interesin e tyre për këtë formë arti.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, bën të ditur se këtë vit programi do të sjellë edhe një risi.

Krahas programeve edukative, “Marubi” vijon të jetë një prej institucioneve kulturore më të frekuentuara në Shkodër. Sezoni veror sjell një fluks të shtuar vizitorësh vendas dhe të huaj, të interesuar për historinë e fotografisë shqiptare dhe koleksionet që ruhen në muze.

Gjatë kësaj periudhe, muzeu qëndron i hapur çdo ditë, duke u dhënë mundësi turistëve dhe qytetarëve që ta përfshijnë vizitën në “Marubi” në itinerarin e tyre kulturor në Shkodër.

Përmes ndërthurjes së ruajtjes së trashëgimisë me edukimin dhe krijimtarinë, Muzeu “Marubi” synon që historia e fotografisë të mos mbetet vetëm pjesë e arkivit, por të përcillet dhe të rizbulohet vazhdimisht nga brezat e rinj.