Kurset verore të organizuara nga Qendra Rinore “Atelie” në Shkodër janë kthyer në një alternativë për t’i mbajtur të rinjtë të angazhuar gjatë pushimeve, duke ndërthurur aktivitetet me marrjen e dijeve dhe njohurive të reja.

Drejtuesja e Qendrës Rinore “Atelie”, Mirza Berdica, thotë se përmes këtyre kurseve të rinjtë kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë në mënyrë aktive kohën e lirë gjatë sezonit veror. Kurset janë drejtuar nga ekspertë të fushave përkatëse, të cilët kanë ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre me pjesëmarrësit.

Sipas drejtuesve të qendrës, interesi për t’u bërë pjesë e kurseve ka qenë i lartë, duke treguar edhe nevojën e të rinjve për aktivitete të tilla gjatë verës. Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht të grupmoshës 16 deri në 20 vjeç. Përmes këtyre kurseve, Qendra Rinore “Atelie” synon të krijojë hapësira ku të rinjtë jo vetëm të kalojnë kohën e lirë, por edhe të zhvillojnë aftësi dhe të fitojnë njohuri të reja.