Një histori dashurie e lindur në kohë të vështira dhe e jetuar për dekada me radhë pritet të përjetësohet në një libër. Ky është projekti i ri për të cilin ka nisur të mendojë Angjela Vasija, vajza e artistit të njohur shkodran Gjosho Vasija.
Në qendër të librit do të jetë historia e prindërve të saj, të cilët u njohën gjatë viteve të regjimit komunist dhe ndërtuan së bashku një jetë të gjatë familjare. Për Angjelën, rrëfimi i tyre mbart kujtime dhe vlera që meritojnë të ruhen e të përcillen përmes një botimi.
Më herët, Angjela Vasija i ka kushtuar tre libra figurës dhe krijimtarisë së të atit, aktorit të humorit dhe parodistit Gjosho Vasija. Por këtë herë ajo dëshiron të sjellë një dimension tjetër, më personal, duke e kthyer historinë e dashurisë së prindërve në një rrëfim që mund të shërbejë si frymëzim edhe për brezin e ri.
Gjosho Vasija mbetet një prej emrave të njohur të bejtës, humorit dhe parodisë shkodrane. Me numrat e tij artistikë, humorin therës dhe shpirtin shpotitës, ai la gjurmë në Estradën e Shkodrës dhe në kujtesën e publikut. Projekti i ri i së bijës synon të ruajë këtë herë jo vetëm kujtimin e artistit, por edhe historinë njerëzore dhe familjare që qëndroi përkrah tij gjatë jetës.
