Muzika klasike mbushi mbrëmjen e së shtunës Kishën Don Bosko në Shkodër, ku anëtarë të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor dhanë koncertin e parë të muzikës së dhomës në kuadër të programit veror “Music of Today”. Koncerti ishte pjesë e rezidencës artistike që orkestra po zhvillon në Shkodër nga 28 korriku deri më 14 gusht.
Instrumentistët e rinj sollën për publikun një mbrëmje të veçantë, duke e kthyer Kishën Don Bosko në një skenë të muzikës klasike. Aktiviteti synon jo vetëm interpretimin artistik, por edhe bashkëpunimin dhe shkëmbimin kulturor mes muzikantëve të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Europa dhe më gjerë.
Koncerti i 8 gushtit ishte vetëm ndalesa e parë e një programi të pasur që do të vijojë në Shkodër. Mbrëmjen e 9 gushtit, në orën 19:00 muzikantët do të interpretojnë në oborrin e Institutit Yunus Emre, me koncertin e dytë të muzikës së dhomës.
Më 10 gusht, në orën 19:30, programi zhvendoset në Teatrin “Migjeni”, me një koncert familjar që synon t’i afrojë veçanërisht fëmijët me instrumentet dhe botën e orkestrës. Turi në Shkodër kulmon më 13 gusht, po në Teatrin “Migjeni”, me koncertin orkestral “Be Embraced”, nën drejtimin e dirigjentëve Desar Sulejmani dhe Harlen Nikolli.
Pas Shkodrës, Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor do të vijojë turneun në qytete të tjera të Ballkanit dhe më pas në Gjermani, duke e shndërruar muzikën në një urë bashkëpunimi mes të rinjve dhe kulturave të ndryshme.
