Nata e dytë e “Dua Fest” solli të tjera emocione dhe muzikë live në Shkodër, duke bërë bashkë mijëra të rinj në një prej eventeve të kalendarit veror. Në sfondin e Kalasë së Rozafës, artistë të njohur të muzikës shqiptare krijuan atmosferë dhe energji deri në orët e vona.
Në skenë u ngjitën grupet “Urban Band” dhe “Offchestra” , të cilët interpretuan disa nga këngët e tyre më të njohura, ndërsa publiku i shoqëroi gjatë performancave.
Një tjetër moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi i Endri dhe Stefi Priftit. Dyshja solli një ndërthurje mes serenatave të njohura korçare dhe këngëve shkodrane, duke i dhënë koncertit ngjyra të muzikës tradicionale qytetare.
Kulmi i natës ishte performanca e Alban Skënderajt. Këngëtari interpretoi disa prej baladave të tij më të njohura, të kënduara së bashku me publikun, si dhe këngë nga albumi “Rrënjët”.
Për dy netë me radhë, “Dua Fest” solli muzikë, atmosferë festive dhe energji rinore, duke pasuruar jetën artistike të Shkodrës gjatë sezonit turistik. Kalendari veror do të vijojë me aktivitete të tjera artistike dhe kulturore, të parashikuara jo vetëm në qytet, por edhe në zona të tjera turistike të Bashkisë Shkodër.
