Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror. Monitorimi po kryhet me dronë, radarë dhe makina inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Në fokus të kontrolleve janë drejtuesit që lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara, kryejnë parakalime të gabuara, drejtojnë automjetin nën efektin e alkolit apo pa leje drejtimi, si dhe automjetet që qarkullojnë me xhama të riveshur.

Sipas Policisë, gjatë periudhës 30 korrik–6 gusht 2026, është arrestuar një drejtues mjeti dhe është proceduar penalisht një tjetër për shkelje që lidhen me drejtimin e parregullt të automjetit dhe rregullat e qarkullimit rrugor. Gjithashtu, është pezulluar një leje drejtimi.

Në të njëjtën periudhë janë ndërmarrë 1223 masa administrative. Prej tyre, 471 për tejkalim të shpejtësisë, 329 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 72 për parakalime të gabuara, 57 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkolit. Edhe 266 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore njofton se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut të Shkodrës, duke përdorur mjetet teknologjike në dispozicion. Drejtuesve të mjeteve u bëhet apel të respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë shkeljet në numrin 112.